• 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
FILLOI FUSHATA E INFORMIMIT DHE E KONSULTIMIT TË PUBLIKUT PËR PAKON LEGJISLATIVETE TË REFORMËS SË ADMINISTRATËS PUBLIKE
2018-06-08

Në Ministrinë e Administratës Publike, u mbajt ceremonia e fillimit të fushatës së informimit dhe konsultimit te publikut për Pakon Legjislative te reformës në administratën publike.
Ministri i MAP-it, Mahir Yagcilar, në fillim të këtij takimi, para të pranishmëve theksoi:   "Kam kënaqësinë e veçantë që sot së bashku po shënojmë fillimin e një procesit qenësor për reformën dhe modernizimin e administratës publike të Republikës së Kosovës. Ministria e Administratës Publike, sot, fillon zbatimin e një fushate të informimit dhe konsultimit të publikut për pakon e ligjeve të reformës së administratës publike, përkatësisht Projektligjin për Administratën Shtetërore, Projektligjin për Zyrtarët Publik si dhe Projektligjin për Pagat.  Këto tre projektligje janë shtyllat e procesit të reformimit dhe modernizmit të administratës publike me qëllim ngritjen profesionale të administratës publike, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit.
 
foto6-(3).jpg

Në vazhdim të fjalës së tij, ministri Yagcilar tha se "Këto tre projektligje prekin çështje shumë të rëndësishme dhe komplekse të funksionimit të shtetit, dhe sigurisht se puna e bërë deri tash nuk ka qenë proces i lehtë, por në këtë drejtim është punuar me përkushtim të madh. Andaj, më lejoni që në emër të Ministrisë së Administratës Publike të falënderoj Grupin punues për punën e bërë deri tash.
Me këtë rast, ministri Mahir Yagcilar, shkoqiti disa aspekte kryesore për projektligjet. Siç tha ai, “Projektligji për Administratën Shtetërore përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të administratës publike dhe të agjencive të pavarura të themeluara nga Kuvendi. Ndërsa, Projektligji për Zyrtarët Publik ka për qëllim krijimin e kornizës ligjore për punësim të zyrtarëve publikë në institucione të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri. Ndërkaq, Projektligji për Pagat përcakton sistemin e pagave dhe shpërblimet për zyrtarët dhe funksionarët publikë, si dhe rregullat për përcaktimin e pagave të punonjësve të ndërmarrjeve publike në Kosovë”.
Në vazhdim, ministri Yagcilar tha se" Procesi i hartimit të këtyre projektligjeve është udhëhequr nga MAP-i, në bashkëpunim të plotë me Zyrën e Kryeministrit dhe institucionet e tjera, mbështetur edhe te këshillat e Bashkimit Evropian dhe te ekspertiza e OECD/SIGMA të cilët i falënderoj për përkrahjen e procesit” .
Në ditët në vijim pohoi ministri Yagcilar, “jemi të përkushtuar që të përfshijmë sa më shumë qytetarët në bashkëpunim me shoqërinë civile në këtë proces dhe ata t’i njoftojmë me ligjet dhe ndryshimet që pritet të sjellin këto ligje”. 
Në përmbyllje të fjalës së tij ministri i MAP-it Mahir Yagcilar  tha se "Modernizimi i administratës publike në Kosovë, transformimi dhe avancimi i saj, janë një investim në demokraci dhe ekonomi, në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë dhe në afrimin e shtetit tonë më pranë Bashkimit Evropian, që është interesi më i lartë shtetëror i yni”.
Në këtë ceremoni të fillimi të kësaj fushate ishin të pranishëm, por edhe kontribuuan me diskutimet e tyre edhe Besnik Tahiri, koordinator i reformave shtetërore, Visar Rushiti, nga shoqëria civile dhe drejtori i DL-së në MAP, Naser Shamolli. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e OECD/SIGMA dhe përfaqësues të institucioneve të vendit.
 
 
1