• 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
MAP FILLON PROCESIN E VLERËSIMIT TË GATISHMERISË PËR HAPJEN E TË DHËNAVE
2017-11-22

Sot, në një konferencë për shtyp ministri i Ministrisë së Administratës Publike Mahir Yagcilar ka njoftuar se ka filluar Vlerësimi i Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave në Kosovë – ODRA (Open Data Readiness Assessment) sipas metodologjisë së Bankës Botërore.
Ky proces do të realizohet nga ekspertë vendorë dhe të huaj dhe parasheh vlerësimin e kuadrit ligjor, strukturave institucionale, politikave për menaxhimin e të dhënave të hapura, kërkesës për të dhëna,  infrastrukturës teknologjike, etj.
Ministri Yagcilar tha se, institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës prodhojnë një game të gjerë të dhënash në kryerjen e detyrave shtetërore. Këto të dhëna duhet të vihen në dispozicion për përdorim për të gjithë qytetarët të Republikës së Kosovës, duke krijuar një mekanizëm funksional të informimit, transparencës dhe llogaridhënies.
 Ministri Yagcilar sqaroi se qëllimi i ODRA-s është realizimi i një skenimi të hollësishëm të kapaciteteve, mundësive dhe të sfidave në fushën e hapjes së të dhënave, në mënyrë që të përgatiten intervenime efektive prej anës së qeverisë duke kujtuar se sektori publik prodhon dhe mbledh një gamë të gjerë të dhënash dhe informacione të cilat duhet të bëhen të përdorshme për publikun. Në konferencën për shtyp Ministri Yagcilar theksoi:
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e zotuar që të krijoj themele të qëndrueshme të hapjes së të dhënave. ODRA do të na mundësojë identifikimin e hendeqeve dhe prioriteteve të veprimit brenda Qeverisë për hapjen e të dhënave. Këto veprime janë në përputhje me vizionin tonë për qeverisje të mirë, transparente dhe llogaridhënëse. Hapja e të dhënave ka përfitime të shumta si për proceset demokratike, por po ashtu edhe për zhvillimin ekonomik dhe inovacionin.”  
Hapja e të Dhënave është e ndërlidhur ngushtë me procesin e reformës së administratës publike tha Ministri Yagcilar.
Drejtoresha e Departamentit të Menaxhimit të Reformës së Administratës Publike Erna Hasangjekaj, shpjegoj se hapja e të dhënave do të ndikojë në qeverisjen e mirë, dhe rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të administratës publike. 
Ekspertja e hapjes së të dhënave Elizabeth Carolan, e cila gjithashtu do të marrë pjesë në procesin e Vlerësimit të Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave në Kosovë sqaroi se kjo metodologji përbëhet nga 8 komponente kryesore dhe është e hartuar për të shqyrtuar si anën e “furnizimit” me të dhëna, që ka të bëjë me kuadrin ligjor dhe infrastrukturën brenda qeverisë, por po ashtu edhe me anën e “kërkesës për të dhëna të hapura”, që ka të bëjë me mekanizmat e angazhimit të qytetarëve dhe gjendjen e kërkesave ekzistuese për të dhëna ndaj qeverisë. 
Ndërsa Drejtori i ASHI Kujtim Gashi foli për përkrahjën teknike dhe infrastrukturore për hapjën e të dhënave gjgjësisht për Portalin Shtetëror për Hapjën e të Dhënave. Ai tha se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës janë të kyçura në rrjetin shtetëror.
 
MAP Raportin gjithëpërfshirës do të publikon në muajin mars të vitit 2018 dhe ky raport do të shërbejë si mbështetje shtesë në finalizimin e Planit të veprimit për Hapjen e të Dhënave me qëllim të krijimit të kushteve për angazhim afatgjatë në hapjen e të dhënave në Republikën e Kosovës.

fotoweb2.jpg
 
 
1