• 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
MAP-i ORGANIZOI TAKIMIN E PARË PËR VLERËSIMIN E GATISHMËRISË PËR HAPJEN E TË DHËNAVE(ODRA)
2017-11-21

Ministria e Administratës Publikë ka mbajtur takimin e parë të punës me pjesëmarrës nga institucionet publike dhe shoqëria civile për procesin e Vlerësimit të Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave (ODRA), që do të realizohet në kuadër të projektit të MAP-it “Mbështetje në Zbatimin e Reformës së Administratës Publike”, nga ekspertë të huaj dhe vendorë.
ODRA - Open Data Readiness Assessment – Vlerësimi i Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave është një metodologji e zhvilluar nga Banka Botërore, që do të zbatohet edhe në Kosovë për herë të parë me vetiniciativë të Ministrisë së Administratës Publike, ndërsa Banka Botërore do të bëjë rishikimin e pavarur të rezultateve të vlerësimit.
Takimi është hapur nga ministri i Ministrisë së Administratës Publike Mahir Yagcilar, i cili theksoi  rëndësinë, që procesi ODRA-s do ta ketë për përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e të dhënave, duke rikujtuar që MAP-i, në bashkëpunim me shoqërinë civile, përkatësisht me përkrahjen nga KFOS-i ka arritur të hartojë një projektplan të veprimit për hapjen e të dhënave, ndërsa rezultatet nga ODRA do të ndihmojnë në finalizimin e planit përkatës. Ministri Yagcilar më tutje deklaroi se : “Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës prodhojnë një gamë të gjerë të dhënash në kryerjen e detyrave shtetërore. Këto të dhëna duhet të vihen në dispozicion për përdorim për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke krijuar një mekanizëm të ri të llogaridhënies, informimit dhe transparencës.” 

DSC_0578.jpg

Drejtoresha e Departamentit për Menaxhimin e  Reformës së Administratës Publike Erna Hasangjekaj shpjegoi se, hapja e të dhënave është e një rëndësie të veçantë edhe për reformën dhe modernizimin e administratës publike sepse ndikon në përmirësimin e  shërbimeve publike si dhe rrit efektivitetin dhe transparencën e qeverisjes në Kosovë. Blinera Meta Shala nga OJQ- Open Data Kosova (ODK) foli për potencialin e hapjes së të dhënave në Kosovë si dhe projektet e zbatuara për hapjen e të dhënave dhe ndikimin e tyre. Drejtori i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), Kujtim Gashi deklaroi se ASHI-ja, e cila menaxhon me Portalin Kombëtar për hapjen e të dhënave, është e gatshme të shtojë angazhimin për hapjen e të dhënave por se kjo agjenci duhet të përkrahet me kapacitete teknike për të zbatuar me sukses obligimet përkatëse. 
Ekspertja Elizabeth Carolan, e cila do të jetë pjesë e ekipit që do të realizojë ODRA-a, prezantoi metodologjinë e procesit duke sqaruar se ajo përbëhet nga 8 kapituj ose fusha në të cilat do të vlerësohet Kosova: udhëheqja, kuadri ligjor, strukturat institucionale, përgjegjësitë dhe aftësitë brenda qeverisë, politikat e qeverisë për menaxhimin e të dhënave të hapura, procedurat dhe disponueshmëria e të dhënave, kërkesa për të dhëna të hapura, angazhimi qytetar për të dhëna të hapura, financimi i një programi për hapjen e të dhënave si dhe infrastruktura teknologjike. Ajo, më tutje. sqaroi se për çdo dimension, propozohen një sërë veprimesh që do të ndihmojnë në finalizimin e Projektplanit të Veprimit për Hapjen e të Dhënave, që është përgatitur nga MAP-i në bashkëpunimin me shoqërinë civile. 
Rezultatet e ODRA-s pritet të bëhen publike në Mars të vitit 2018. 
 
1