• 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
MINISTRI YAGCILAR MORI PJËSË NË KONFERENCËN E GRUPIT PËR STUDIME JURIDIKE DHE POLITIKE
2018-11-05

Ministri i MAP-it Mahir Yagcilar, mori pjesë në punimet e Konferencës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike. Në fjalën e rastit të cilen e mbajti, ministri Yagcilar falënderoi Grupin për Studime Juridike dhe Politike për organizimin e kësaj konference dhe për prezantimin e analizës që adreson problematiken e strukturimit të Qeverisë.

Ky diskutim po organizohet në një kohë të duhur kur tre ligjet e pakos legjislative të reformës së administratës publike kanë kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.  
Ministria e Administratës Publike, tha në vazhdim ministri Yagcilar, në përputhje të obligimeve që ka nga Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike si dhe procesi i integrimit evropian, ka punuar në racionalizimin e agjencive të pavarura dhe tashmë Qeveria ka aprovuar Planin e Veprimit për racionalizim të disa agjencive të pavarura. Krahas kësaj ne po punojmë në MAP edhe për racionalizimin e shërbimeve publike, në mënyrë që të jenë më lehtë të qasshme dhe më pak të kushtueshme për qytetarin. Shume shpejt do të fillojmë me qendrat për shërbime publike apo one-stop-shop dhe puna ka filluar për qendrën e parë të tillë në Prizren. Racionalizimi pra është një koncept që ka të bëjë me modernizim dhe përafrim të administratës publike me atë të vendeve të BE-së. Pra, në parim unë si Ministër i Administratës Publike përkrah diskutimin dhe analizat që adresojnë nevojën për racionalizimin e administratës.  
Parimet ku ne bazohemi për reformën e administratës publike janë po ato që GLPS ka përdor në analizën e vetë pra shpenzim efikas dhe të përgjegjshëm të parasë publike, koordinim ndërinstitucional më efikas, dhe rritje të llogaridhënies në administratën publike.  
Ne duhet të zgjidhim në mënyrën më efektive problemet që kemi me kaosin aktual më sistemin e pagave, rregullimin e brendshëm të institucioneve publike, rregullimin dhe kontrollimin e zgjerimit të administratës shtetërore si dhe rekrutimin dhe performancën e të punësuarve në sektorin publik. 
Me ligjin për organizimin dhe funksionimin e  administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura ne kemi adresuar problemet me mungesën e rregullave për gjithë sistemin ministror si për nga tipologjia ashtu edhe për nga vijat e llogaridhënies. 
Si pasoj e problemeve aktuale, kemi pas një zgjerim të administratës publike, ngarkesë të buxhetit të shtetit si dhe kemi kufizuar kapacitetin dhe aftësinë e shtetit për t’i shërbyer qytetarët dhe për të zbatuar reforma komplekse nga procesi i integrimit evropian. Me ligjin e ri, ne kemi vendosur tipologji të thjeshtë që siguron organizim të përshtatshëm duke vendosur kritere për menaxhim dhe vija të qarta të llogaridhënies për agjencitë.
Kemi vendosur rregulla që përcaktojnë funksionet për të cilat mund  apo nuk mund të  krijohen agjencitë e pavarura. Gjithashtu, kemi vendosur rregulla të organizimit të brendshëm për të gjitha organet e administratës shtetërore në përcaktimin e: strukturave të brendshme, nivelet, organogramin, raporti i strukturave të brendshme me Sekretarin e Përgjithshëm dhe Ministrin, aktin me të cilin përcaktohet organizimi i brendshëm dhe përmbajtjen e tyre, si dhe kompetencën për miratimin e organizimit të brendshëm.
Ligji, theksoi ministri Yagcilar, parasheh një periudhë tranzicioni ku Qeveria e Kosovës obligohet që brenda tri (3) viteve të bëjë një rishikim funksional të të gjitha organeve qendrore dhe të pavarura me opsione të qarta për racionalizimin e tyre.
Me ligjin për zyrtarët publik ne do të rregullojmë marrëdhënien e punës me të gjithë të punësuarit në sektorin publik, që aktualisht janë mbi 80-mijë . Po ashtu do të ndryshojmë mënyrën e rekrutimit duke rritur efikasitetin dhe paanshmërinë e procesit dhe njëherit duke kursyer para buxhetit të shtetit. Po ashtu ligji krijon kritere më të fuqishme për vlerësimin e performances së shërbyesve civil. 
Ne shpresojmë se shumë shpejt këto tre ligje do të miratohen në Kuvendin e Republikës kur edhe sfida më e vështirë e procesit do të filloj për zbatimin e ligjeve. 
Tani më lejoni të adresoj disa prej rekomandimeve të raportit që u prezantua këtu. 
Raporti sugjeron që Qeveria të përshpejtojë procedurat për aprovimin e Ligjit për Qeverinë dhe reduktimin e numrit të ministrive. Unë gjithsesi pajtohem se Ligji për Qeverinë duhet të miratohet sa më shpejt, sepse është legjislacion që do të plotësonte pakon ligjore të reformës së administratës publike mirëpo për këtë temë z. Besnik Tahiri mund të flas më shumë.
Numri i lartë i zëvendësministrave ngarkon edhe më shumë perceptimin negativ për Kosovën dhe është parashtruar si problem nga Komisioni Evropian edhe në Grupin e Veçantë për Reformën e Administratës Publike. Unë pajtohem se ne duhet të vendosim rregull dhe procedurë si për organizimin e qeverisë po ashtu edhe për pozitat politikë që drejtojnë një Ministri.  Ligji për Qeverinë është instrumenti më i mirë ku mund të adresojmë dhe zgjidhim këto probleme. Përcaktimi i këtyre rregullave dhe kufizimeve në numra duhet të bëhet mbi bazën e një analizë profesionale dhe të paanshme, të jetë proces transparent dhe të ketë parasysh parimin e efikasitetit dhe llogaridhënies, si dhe mbrojtjen e parasë publike. 
Më lejoni të përfundoj duke konfirmuar gatishmërinë e Ministrisë së Administratës Publike të bashkëpunoj me shoqërinë civile për të shtyrë përpara reformimin dhe modernizimin e administratës publike. 
Administrata publike tha në fund ministri Yagcilar është boshti kurrizor i shtetit. Pa një administratë publike profesionale, efektive dhe llogaridhënëse, jo vetëm që nuk do të arrijmë të ofrojmë shërbime të mira publike, por nuk do të kemi kapacitet për të zbatuar reformat komplekse nga procesi i integrimit evropian. 
Po e përfundoj duke përsëritur atë që kam deklaruar në konferencën e fundit të GLPS-së ku isha në panel se Modernizimi i administratës publike në Kosovë, transformimi dhe avancimi i sajë, është një investim në demokraci dhe ekonomi, në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë dhe në afrimin e shtetit tonë më pranë Bashkimit Evropian, që është interesi më i lartë shtetëror i yni.
 
 
1