• 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
Ministri Yagcilar: Kemi nevojë për një kulturë të re, që të mbledhim, hapim dhe mësojmë prej të dhënave
2018-07-13

Ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar, sot, ishte në përbërje të panelistëve, në lansimin e garës së parë nacionale, DIG DATA, organizuar nga Fondacioni i Mileniumit të Kosovës dhe MCC-së.
Në Panelin me titull: `` Hapja e të Dhënave, një qeveri më transparente dhe më llogaridhënëse``,  ministri Yagcilar, pasi shpalosi idetë dhe politikat për mënyrën se si hapja e të dhënave kontribuon në një qeveri transparente dhe llogaridhënëse, shfrytëzoi rastin të falënderojë MCC-në në përkrahjen dhe shfrytëzimin e dhënave në Kosovë.
Në fjalën e tij ministri Yagcilar, mes tjerash tha: “Transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike është thelbi i funksionimit demokratik, megjithëse tek ne sikurse edhe në shumë vende të tjera, zakonisht janë perceptuar si një barrë për qeverinë dhe jo si një vlerë e shtuar në procesin e vendimmarrjes dhe hartimit të politikave. Ky, sigurisht që është një perceptim i gabuar, por si i tillë, fatkeqësisht, ende është prezent në mentalitetin e funksionimit të institucioneve publike, ndaj duhet ta ndryshojmë . Ne, duhet të punojmë më shumë me institucionet dhe zyrtarët publik dhe politikë, që hapjen e të dhënave ta shohim si një vlerë të shtuar për punën tonë, sepse ashtu edhe është”. 
Hapja e të dhënave tha Ministri, “mundëson hartim dhe propozim të politikave, bazuar në dëshmi dhe fakte dhe një pjesëmarrje më efektive të qytetarëve, të shoqërisë civile dhe të akterve të tjerë në proces. 
Ministri Yagcilar theksoi, në vazhdim se Hapja e të Dhënave është një koncept relativisht i ri, si për Kosovën, ashtu edhe për vendet e tjera, por si aktivitet absolutisht i nevojshëm për qeverisje në epokën e teknologjisë së informacionit.
Qeveria e Republikës së Kosovës, më 13 maj të vitit 2016, me një vendim ka miratuar Kartën për Hapjen e të Dhënave dhe i ka dhënë përgjegjësi Ministrisë së Administratës Publike në koordinimin e punëve në hapjen e të dhënave në Kosovë. I njëjti vendim, institucionalizon për herë të parë në Kosovë një portal kombëtar për të dhëna të hapura nën menaxhimin e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit. Në këtë fazë, këto arritje kanë qenë të mundshme edhe falë bashkëpunimit dhe përkrahjes nga organizata të ndryshme si UNDP, USAID,KFOS, ODK, etj. 
Që nga maji i vitit 2013, ne si Ministri kemi punuar në dy drejtime kryesore: në rregullimin e kornizës ligjore dhe të politikave për hapjen e të dhënave dhe paralel me këtë kemi punuar në zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve për hapje të dhënave, inventarizimin e të dhënave dhe hapjen e tyre përmes portalit kombëtar.
Sa i përket hapjes së të dhënave, ne si Ministri kemi dashtë të udhëheqim me shembull dhe hap i parë ka qenë publikimi i të dhënave që MAP-i i posedon e që kanë interes publik. Sa i përket kësaj, Departamenti i Administrimit të Shërbimit Civil së bashku me ekspertë të projektit të MAP-it, kanë punuar për të përgatitur për publikim të dhënat për shërbimin civil të Republikës së Kosovës, të cilat kanë qenë shumë të kërkueshme. Tani afër 30 data-sete me të dhëna për shërbimin civil janë publikuar në dy formate: formatin Excel si dhe në formatin e lexueshëm nga makinat CSV. Këto të dhëna ofrojnë një pasqyrë të plotë të përbërjes, përgatitjes shkollore, përkatësisë etnike dhe gjinore të shërbimit civil të Kosovës, tha Ministri Yagcilar.
Po ashtu, në kuadër të projektit të MAP-it, për mbështetje të reformës së administratës publike, kemi identifikuar nga publikimet ekzistuese të institucioneve të Kosovës të dhëna të rëndësishme për interesin publik dhe i kemi publikuar ato. 
Aktualisht në kuadër të portalit për të dhëna të hapura janë publikuar 102 data-sete të fushave të ndryshme, me leje për ripërdorim dhe përpunim si dhe në formate të lexueshme nga makinat. 
Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë angazhimin tonë dhe të ndërtojmë një kulturë të punës në institucione për hapje te të dhënave, dhe do të përpiqemi të automatizojmë procesin në kuadër të platformës së interoperabilitetit. Mirëpo, sfidë tjetër është edhe shfrytëzimi dhe përpunimi i të dhënave. Nëse të dhënat e publikuara nuk përdoren, atëherë ne dështojmë të arrijmë ndikimin, prandaj është shumë e rëndësishme kjo që sot MCC po fillon, duke sfiduar organizatat dhe individët që të përpunojnë dhe të gjejnë vlerë në të dhënat e publikuara.  
 Ministri fjalën e tij e përmbylli duke thënë : Për të arritur një nivel funksional të hapjes së të dhënave, nuk do të jetë e lehtë, do të duhet kohë, përpjekje, konsultime, debat dhe durim, por Ministria e Administratës Publike dhe Qeveria e Republikës së Kosovës janë të zotuara, që të punojnë me shoqërinë civile, biznesin, dhe palët e interesuara për të avancuar hapjen e të dhënave në Kosovë. 
Në këtë event ishin të pranishëm edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Greg Delawie, ambasadori I Francës në Kosovë, Didier Chabert dhe shume pjesëmarrës tjerë nga institucionet dhe shoqëria civile.
 
1