• 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
Ministrit i Administratës Publike Mahir Yagcilar, po merr pjesë në konferencën: "Sfidat bashkëkohore në shërbimin publik dhe roli i partneritetit për arritjen e zgjidhjeve”
2018-10-25

Konferenca me temen"Sfidat bashkëkohore në shërbimin publik dhe roli i partneritetit për arritjen e zgjidhjeve” është organizuar nga Ministria e Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës të Republikës së Maqedonisë
 
Fjalimi i Ministrit Yagcilar (25 tetor 2018)
 
Të nderuar kolegë
 
I nderuar Z. Damjan Mançevski
Znj. Suzana Pribilovic,
I nderuar Z. Branko Ruzhiq,
 
Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni që të filloj duke falënderuar kolegun, Ministrin Mancevski për ftesën si dhe Ministrinë e Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës për organizimin e mrekullueshëm të konferencës, që njëherit trajton edhe një temë të rëndësishme për procesin e reformimit dhe modernizimit të administratës publike në rajonin tonë. 
 
Kjo konferencë kërkon nga ne të diskutojmë për sfidat bashkëkohore në shërbimin publik dhe rëndësinë e partneritetit për arritjen e zgjidhjeve. Unë do të përpiqem ti përgjigjem kësaj temë duke ndarë fjalën time në 3 pjesë kryesore që adresojnë tri sfidat kryesore: 
 
Modernizimin e shërbimit civil dhe të shërbimeve publike
Hapjen e Qeverisë ndaj qytetarëve 
Ndërtimin e partneritetit 
 
Modernizimi i shërbimit civil kërkon mbi të gjitha adresimin e sfidave që kemi me rekrutimin dhe menaxhimin e personelit në administratën shtetërore. Nuk kemi alternativ ndaj vendosjes së një sistemi të vlerave në administratën publike që mundëson punësim dhe avancim bazuar në meritë dhe ku performanca e shërbyesve civil i nënshtrohet një vlerësimi objektiv dhe profesional. Duhet të racionalizojmë administratën dhe proceset administrative për llogaridhënie më të madhe ndaj qytetarit dhe përmirësim të ofrimit dhe qasjes në shërbime nga qytetarët. 
 
Në Kosovë, kemi bërë hapin e parë në drejtim të adresimit të këtyre sfidave. Fillimisht, duke përmirësuar kornizën ligjore. 
 
Pas një pune intensive kemi përmbyllur me sukses hartimin e pakos ligjore të reformës së administratës publike, që përbëhet nga: Projektligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, Projektligji për Zyrtarët Publik si dhe Projektligji për Pagat. Në fazën e konsultimeve publike për këto tre ligje kemi zbatuar një fushatë të  gjerë të informimit dhe përfshirjes së publikut, institucioneve dhe shoqërisë civile në procesin vendimmarrës.
 
Projektligjet janë aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe aktualisht janë duke kaluar procedurat normale të shqyrtimit dhe miratimit në Kuvendin e Kosovës. Ndryshimet kryesore që priten të nisin këto tre ligje përfshijnë:
 
Vendosja e një sistemi të rekrutimit të bazuar në meritë dhe në një menaxhim profesional të procedurave të rekrutimit që i sigurojnë rezultatet më të mira. Do të krijojmë një sistem për plotësimin e pozitave të lira të punës përmes rekrutimeve në grup. Procesi do të administrohet nga një njësi qendrore përgjegjëse për zhvillimin e rekrutimit në grup si dhe komisione përzgjedhëse permanente. Këto ndryshime do të mbrojnë shërbimin publik nga ndikimi politik. 
Do vendosim rregulla të qarta për funksionimin dhe themelimin e agjencive të pavarura si dhe llogaridhënie më të madhe për administratën shtetërore si dhe
Përmes ligjit për Pagat do të vendosim një sistem homogjen të pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik duke përcaktuar rregulla për përcaktimin e pagës. 
 
Ndërkohë, ne jemi duke funksionalizuar SIMBNJ, element i cili është tejet e rëndësishme për menaxhimin e burimeve njerëzore. Përmes SIMBNJ-së jemi duke avancuar modulin e aplikimit online në procesin e rekrutimit. 
Po ashtu vlen të theksohet se SIMBNJ është ndëlidhur me sistemin e menaxhimit të dokumenteve dhe është në proces të ndërlidhjës me sistemin e e-pasurisë dhe sistemeve tjera. Në bashkëpunimin me IKAP dhe USAID kemi filluar me trajnime për përdorim të SIMBNJ-së për 33 komuna me gjithsej 150 nëpunës të niveleve menaxheriale. 
Kemi bërë arritje të tjera të rëndësishme duke përfshi edhe 80% të harmonizimit të pozitave të nëpunësve civilë, me Katalogun e Punës dhe të klasifikuar në përputhje me kornizën ligjore në fuqi. 
 
Jemi duke punuar edhe në ndërtimin e qendrës së parë të shërbimeve publike për qytetar në Prizren, deri në vitin 2020 planifikojmë të ndërtojmë tre one-stop qendra ( pika të vetme të kontaktit). Kjo po bëhet e mundur për shkak të progresit që kemi arritur me ndërtimin e platformës së interoperabilitetit ku deri në vitin 2020 planifikojmë të integrojmë rreth 40 sisteme të ndryshme të qeverisë. Së bashku me punën që po bëhet në ndërtimin e infrastrukturës ligjore e teknike për  nënshkrimin elektronik, shumë shpejt do të mund të digjitalizojmë shumicën e shërbimeve publike për qytetar. Kjo do të kursej para të qytetarëve, do ti bëj shërbimet publike më të qasshme, më efektive dhe qeverinë më transparente. 
   
Këtë vit kemi filluar edhe zbatimin e përkrahjes direkte buxhetore nga Komisioni Evropian për procesin e reformës së administratës publike. Kemi deponuar në Komisionin Evropian kërkesën për transhinë e parë, dhe shpresojmë të marrim një lajm pozitiv nga BE shumë shpejt. Ky projekt me një aspekt është përkrahje financiare, por nga aspekti tjetër është edhe motiv për të punuar më shumë dhe mundësi për matjën e punës.
 
Në takimin e fundit të Komitetit për Stabilizim dhe Asocim kemi raportuar edhe për progresin në përmbushjen e tetë indikatorëve për vitin 2018. Kemi aprovuar në Qeveri planin e veprimit për racionalizimit të agjencive të pavarura. Në raundin e parë të procesit pritet që shtatë agjenci të pavarura që i raportojnë Kuvendit të ri-integrohen në Qeveri dhe strukturat e drejtësisë. Po ashtu për herë të parë sivjet kemi publikuar raportin për masat disiplinore ndaj nëpunësve civil për shkelje të etikës dhe legjislacionit anti-korrupsion. Jemi duke përgatitur ndryshimet e nevojshme legjislative për të mundësuar, në bazë të një vendimi gjyqësor, pezullimin e zyrtarëve publik të paditur për vepra penale të lidhura me korrupsionin dhe largimin e zyrtarëve publikë të dënuar për vepra penale të lidhura me korrupsionin. 
 
Sa i përket hapjes së qeverisë ndaj qytetarëve. Në Kosovë jemi duke punuar në iniciativën për hapjen e të dhënave. Në vitin 2016 ne kemi miratuar kartën për të dhëna të hapura. Tashmë kemi zhvilluar portalin për të dhëna të hapura, që aktualisht përmban mbi 100 data-sete të ndryshme nga institucionet e nivelit qendror dhe lokal, si dhe kemi përfunduar procesin e inventarizimit të të dhënave nëpër ministri. 
 
Një hap tjetër i rëndësishëm për Qeverinë është edhe zhvillimi i Platformës së Interoperabilitetit (Government Gateway), përmes së cilës do të mundësohet ndërlidhja dhe komunikimi i sistemeve elektronike. Deri më tani në këtë Platformë janë inkorporuar disa sisteme elektronike si: Regjistri Civil, Regjistri i Bizneseve, Regjistri i adresave, Tatimi në Pronë (e-Kiosku), Sistemi elektronik i OJQ-ve, Sistemi i Informativ i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (SIMBNJ), Sistemi i Noterëve, e-Pasuria, Sistemi i Inspektimit (AUVK), etj. Deri në vitin 2020 pritet të ndërlidhen shumica e sistemeve elektronike.
 
Kemi formuar edhe Portalin e shërbimeve “e-Kosova” është një hap tjetër drejt ofrimit më të mirë të shërbimeve për qytetarët. Përmes këtij Portali qytetarëve, bizneseve dhe OJQ-ve do të mund të marrin shërbime të ndryshme në mënyrë elektronike. 
 
Kemi përfunduar muajin e kaluar, pra në shtator edhe Vlerësimin e Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave në Kosovë. Raporti përmban edhe një plan konkret të veprimit për masa nga qeveria për hapjen e të dhënave nga të gjitha ministritë. Shumë shpejt ne do të marrin një vendim për themelimin e strukturave përgjegjëse.
 
Hapja e të dhënave dhe digjitalizimi i administratës shtetërore kërkojnë partneritet midis qeverive të rajonit, në shkëmbimin e përvojave të mira, por edhe në bashkimin e burimeve duke përfshirë të rinjtë, për të ndërtuar zgjidhje inovative, për problemet e administrimit të shërbimit publik dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët. Kjo konferencë sot është hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur, dhe më lejoni të përfundoj duke ri-konfirmuar përkushtimin dhe vullnetin e qeverisë së Republikës së Kosovës për të përkrah dinamizmin e partneritetit tonë rajonal, në frymën e respektit të ndërsjellë.  
 
Ne të gjithë jemi zotuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Strategjia e fundit për zgjerim e BE-së e bënë të qartë, që përderisa dera e BE-së është e hapur për ne, kalimi i pragut kërkon sundim të ligjit, funksionim të demokratik dhe efektiv të shtetit dhe zgjidhje të kontesteve bilaterale. 
 
Administrata publike përbën një mundësi të veçantë që ne duhet ta shfrytëzojmë për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimin në rajon. 
 
Faleminderit për vëmendje 

foto1.jpg
1