Zhvillimi i Kapaciteteve

Instituti i Kosovës për Administratën Publike është themeluar në vitin 2003. IKAP-i është agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike dhe funksion në bazë të Ligjit nr. 04/l – 221 për institutin e Kosovës për Administratë Publike.

IKAP është përgjegjës për zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, edukimit dhe zhvillimin e kapaciteteve të Shërbimit Civil. Përkundër ligjit, dokumenteve të tjera të politikave dhe Strategjisë për Trajnimet e Shërbimit Civil 2011-2013, trajnimi i nëpunësve civilë nuk ishte në përputhje të plotë me analizën paraprake të përgatitur enkas për këtë dokument strategjik.

Organizatat ndërkombëtare donatore, gjithashtu, kanë ofruar forma të ndryshme të zhvillimit të kapaciteteve në periudhën kohore 2011-2013, duke përfshirë trajnime në një varg temash.

Këto organizime rrallëherë janë të regjistruara zyrtarisht nga departamentet e burimeve njerëzore në shërbimin civil. Nuk ka pasur raste kur IKAP-i, si instituti përgjegjës për zbatimin e politikave të trajnimeve, ka pranuar raporte nga ministritë përfituese apo donatorët mbi trajnimet e ofruara.


Çka është trajnimi?

Trajnimi është një program që i ndihmon punonjësit të mësojnë njohuri specifike ose aftësi për të përmirësuar përformansën në rolet e tyre të tanishme. Zhvillimi është më i shtrirë dhe përqendrohet në rritjen e punonjësve dhe përformansën në të ardhmen, në vend të një roli të menjëhershëm të punës.

   


Zhvillimi i kapaciteteve

Zhvillimi i kapaciteteve në qeverisje dhe administratë publike është një proces shumëdimensional. Ndër të tjera përfshin sundimin e ligjit dhe qasjen në drejtësi, të drejtat e njeriut, administratën publike, shërbimin civil, decentralizimi, qeverisja lokale dhe ofrimi i shërbimeve, llogaridhënia dhe transparenca, rolin qeverisës të shoqërisë civile dhe të sektorit privat, formulimin e politikave me shume pale te interesit, ndihmën ndërkombëtare dhe  kapacitetin absorbues.

Të gjitha këta sektorë dhe fusha të qeverisjes janë të përqendruar në ndërtimin e kapaciteteve: zhvillimin e kapaciteteve të aktorëve për të kuptuar potencialet e tyre individualisht; krijimin dhe forcimin e organizatave të hapura, transparente dhe bashkëpunuese në mënyrë institucionale; promovimin e një vizioni të përbashkët dhe rrënjosjen e besimit ne mënyre sistematike.

Ngritja e  njohurive dhe aftësive të nëpunësve publikë përmes programeve të trajnimit dhe formave të tjera të aftësimit përben njërin ndër prioritet e Qeverisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Administratës Publike. Nëpunësit e administratës publike janë bartës jo vetëm të  përgjegjësive në administratën publike por edhe të zhvillimit ekonomik, prandaj investimi në shërbimin civil dhe në shërbimin publik po ashtu është edhe investim në zhvillimin  ekonomik të vendit.

Trajnimi i nëpunësve civilë në Kosovë është synimi i Qeverisë dhe i institucioneve për një administratë moderne, profesionale dhe kompetente në nivelin qendror dhe lokal, e cila do të ofrojë shërbime publike cilësore për qytetarët dhe personat juridikë.

 

Vizito faqen: http://www.ikap.rks-gov.net
Tel: 038-200/31-020
Email: Info.ikap@rks-gov.net

 

 

 

 

 

Copyright © 2019. Ministria e Administratës Publike