Fjalimet e Ministrit


FJALIMI I MINISTRI YAGCILAR NË DEBATIN E UBT-SË PËR MODERNIZIMIN E ADMINISTRATËS PUBLIKE 1 SHKURT 2019


Prishtinë 01/02/2019


Faleminderit për ftesën që të diskutojmë së bashku për procesin e modernizimit dhe reformimit të administratës publike, që është një projekt shumë i rëndësishëm për procesin e shtet-ndërtimit dhe integrimit Evropian.

I nderuari rektor z. Hajrizi,

Të nderuar profesor dhe studentë të UBT-së

Të nderuar gazetar,

Faleminderit për ftesën që të diskutojmë së bashku për procesin e modernizimit dhe reformimit të administratës publike, që është një projekt shumë i rëndësishëm për procesin e shtet-ndërtimit dhe integrimit Evropian.

Unë do të përpiqem që të përmbledh disa prej aspekteve kryesore të procesit të reformave të administratës publike, me qëllim që të jeni të informuar dhe keni një pasqyrë gjithëpërfshirëse të procesit, që pastaj të kemi mundësi edhe të kemi një diskutim të mirëfilltë së bashku.

Në librin e tij Politika si një Vokacion, Max Weber thotë se:

Për të marrë qëndrim, për të qenë i pasionuar ... është elementi i politikanit, ... kurse e kundërta vlen për nëpunësit civil. Nderi i nëpunësit civil është aftësia e tij për të ekzekutuar në mënyrë të ndërgjegjshme rendin e autoriteteve superiore .... Pa këtë disiplinë morale dhe vetë-mohim, në kuptimin më të lartë, i gjithë aparati do të shpërbëhej”

Ky citat nga Weber shpjegon edhe qëllimin tonë kryesor me reformimin e administratës publike, pra ndërtimin e një administrate publike profesionale të shkëputur nga politika dhe ndikimi i sajë, që funksionon në mënyrë transparente, llogaridhënëse dhe efektive duke shërbyer interesave të qytetarëve.

Në vitin 2005, për herë të parë Qeveria e Kosovës inicioj hartimin e Strategjisë së Reformës së Administratës Publike, i cili pastaj është aprovuar në vitin 2007.

Pas analizave te detajuara të bëra në zbatimin e këtij dokumenti dhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, strategjia e reformës së administratës publike u rishikua duke specifikuar objektivat dhe duke zgjeruar fushëveprimin.

Strategjia e rishikuar për Reformën e administratës Publike është miratuar në vitin 2010, dhe ka përfshirë fusha të tilla si menaxhimi i politikave, hartimi i legjislacionit, planifikimi buxhetor, prokurimi publik, riorganizimi i administratës publike, menaxhimi i burimeve njerëzore si dhe e-qeverisja.

Qëllimi kryesor i kësaj faze të parë të reformave në Administratën Publike ka përfshirë: 

  1. Themelimi i kuadrit ligjor ku si rezultat kemi nxjerr ligjet bazike për funksionimin e administratës publike pas pavarësisë duke përfshirë Ligjin për Administratën Shtetërore, Ligjin për Shërbimin Civil, Ligjin për Pagat, etj. Po ashtu kemi zhvilluar edhe ligje specifike si Ligji për Prokurimin Publik, Ligji për Menaxhimin e Financave Publike, Ligji mbi Auditimin etj.
  2. Qëllimi tjetër i fazës së parë të reformave të administratës publike ishte edhe Rishikimi funksional institucional dhe zbatimi i tij që ka rezultuar me:
    1. Riorganizim të institucioneve qendrore si dhe
    2. Avancim të procedurave administrative në të gjitha institucionet

Me qëllim të mbikëqyrjes, monitorimit dhe koordinimit të procesit të Reformave të Administratës Publike Qeveria e Kosovës ka themeluar dy struktura kryesore:

  • Komisionin Ndërministror për Reformën e Administratës Publike, i ri-emëruar në Këshillin e Ministrave për Reformën e Administratës Publike që përfaqëson forumin e nivelit të lartë politikë që udhëzon procesin e vendimarrjes për reformën e administratës publike,
  • Si dhe është krijuar brenda Ministrisë së Administratës Publike, Departamenti për Menaxhimin e Reformave të Administratës Publike i cili kooridnon në nivel teknik zbatimin e reformave

Tani sa i përket lidhjes midis Reformave të Administratës Publike dhe Integrimit Evropian

Së bashku me sundimin e ligjit, Reforma e Administratës Publike është një nga shtyllat kryesore të kritereve të Kopenhagës dhe Strategjisë së Zgjerimit të BE-së 2014/2015.

Strategjia për zgjerim e Bashkimit Evropian e publikuar në shkurt të vitit të kaluar thekson se “Reforma e administratës publike është me rëndësi për forcimin e qeverisjes në të gjitha nivelet. Kjo përfshin përmirësimin e cilësisë dhe llogaridhënies së administratës, rritjen e profesionalizmit, de-politizimin dhe transparencën”

Sikurse jeni në dijeni, Bashkimi Evropian nuk ka acquis për administratën publike, por në vend të kësaj OECD/SIGMA ka zhvilluar disa parime që aplikohen për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioni Evropian insiston në zbatimin e tyre në të gjithë rajonin.

 Këto parime përfshijnë:

  • Kornizën Strategjike e Reformës së Administratës Publike
  • Zhvillimi dhe Koordinimi i Politikave
  • Shërbimi Publik dhe Menaxhimi i Burimeve Njerëzore
  • Llogaridhënia
  • Ofrimi i Shërbimeve
  • Menaxhimi i Financave Publike

Këto parime përcaktojnë se çfarë përfshin qeverisja e mirë në praktike dhe përshkruajnë kërkesat kryesore që duhet ndjekur nga vendet gjatë procesit të integrimit në BE. Parimet po ashtu paraqesin një kuadër monitorimi që mundëson analizimin e rregullt të progresit të bërë ne zbatimin e parimeve dhe vendosjen e standardeve te vendit.

Shkalla ne te cilën një vend i caktuar kandidat apo kandidat potencial i zbaton këto parime ne praktike, është një tregues i kapacitetit te administratës publike kombëtare për te zbatuar ne mënyre efektive aquis, ne përputhje me kriteret e përcaktuara nga Këshilli Evropian ne Kopenhage (1993) dhe Madrid(1995)

Me qëllim te monitorimit nga afër dhe pajtueshmërisë ne angazhimin e qeverise se Kosovës ne procesin e RAP, në rrugën drejt integrimit evropian, ne vitin 2013 është themeluar një trup i përbashkët ndërmjet institucioneve te Kosovës dhe Komisionit Evropian, i quajtur Grupi Veçantë për Reformën e Administratës Publike.

Ky forum, i cili udhëhiqet nga dy udhëheqësit në njërën ane Ministri i Administratës Publike, dhe ne anën tjetër Shefi i Njësisë për Kosove nga KE, mblidhet dy here ne vit, dhe i trajton arritjet, sfidat qe rrjedhin gjate zbatimit te aktiviteteve te ndërlidhura me RAP, si dhe hapat e ardhshëm qe duhet te ndërmerren, te njohura si konkluzione.

Konkluzionet, para se të bëhen përfundimtare, diskutohen në mënyrë të hollësishme midis palëve dhe përbëjnë një sërë aktivitetesh / kërkesash të RAP që qeveria e Kosovës vetë angazhohet për të përmbushur, për të arritur nivelin e "administrimit të mirë" të nevojshëm, koncept i cili është progresivisht të përcaktuara nga vendet e BE dhe është përfshirë në Kartën e BE-së për të Drejtat Themelore.

Sa i përket Kornizës aktuale Strategjike të Reformës se Administratës Publike

Qeveria e Kosovës ka hartuar dhe miratuar një agjende për reforme efektive te administratës publike e cila i adreson sfidat kryesore.

Për arsye te domosdoshmërisë për të riorientuar objektivat strategjike në përputhje të plotë me agjendën evropiane, u paraqit një rekomandim për te ndare strukturën strategjike te RAP ne një qasje tre dimensionale. Ne ketë kuadër, tre institucionet kryesore : Zyra e Kryeministrit (ZKM), Ministria e Administratës Publike (MAP) dhe Ministria e Financave (MF) kane punuar ne fushat përkatëse:

  1. Zhvillimi dhe Koordinimi i Politikave dhe Legjislacionit – ZKM
  2. Shërbimi Civil dhe Menaxhimi i Burimeve Njerëzore, Procedurat Administrative dhe Ofrimi i Shërbimeve Administrative – MAP
  3. Menaxhimi i Financave Publike – MF

Ne këtë drejtim, ZKM ka hartuar dhe miratuar Strategjinë për Rregullim me te Mire, ne fushat e planifikimit te politikave dhe hartimit te ligjeve,

Ministria e Administratës Publike ne bashkëpunim të ngushtë me SIGMA ka hartuar dhe miratuar Strategjinë e Modernizimit te Administratës Publike, e cila kryesisht fokusohet ne ofrimin e shërbimeve publike, menaxhimin e burimeve njerëzore, ne llogaridhënien, transparencën dhe ne riorganizimin e administratës publike dhe,

Ministria e Financave ka hartuar dhe miratuar Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike, e cila adreson arritjen e menaxhimit te shëndoshë te financave publike, duke i fuqizuar disiplinën fiskale, efikasitetin funksional dhe alokimin efektiv te resurseve publike te Kosovës.

Krahas këtyre zhvillimeve Qeveria e Kosovës, ka ecur një hap më tej duke aprovuar një dokument ombrelle i cili mbulon çështjet nder sektorialë, duke përfshire edhe RAP, qe quhet Strategjia Kombëtare e Zhvillimit dhe i bie ne përgjegjësinë e Zyrës se Kryeministrit monitorimi dhe zbatimi i tij.

Tani me jemi ne fazën ku po bëhen përpjekje për krijimin e një sistemi te unifikuar monitorimit, vlerësimit dhe raportimit për te gjithë kuadrin strategjik te RAP-it, i cili bazohet ne sistemin aktual për monitorimin e Strategjisë se Modernizimit te Administratës Publike.

Tani më lejoni të flas edhe për Kontratën që Kosova ka me Bashkimin Evropian për Reforma e Administratës Publike

Në fund të vitit 2017 me Komisionin Evropian kemi finalizuar Kontratën për Reforma Sektoriale për Reformën e Administratës Publike, e cila kap shumën e 25 milion Eurove, prej të cilave buxheti i Kosovës mund të përfitoj drejtpërdrejt deri në 22 milion Euro, përderisa 3 milion të tjera do të zbatohen nga BE për përkrahje në zhvillim të kapaciteteve.

Nënshkrimi i kësaj kontratë është një avancim i rëndësishëm i marrëdhënieve midis Kosovës dhe BE-së në fushën e administratës publike, është një mesazh i kredibilitetit të kornizës strategjike dhe të politikave të Kosovës për sektorin e administratës publike dhe ka qenë i mundur vetëm pasi që Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht arritjen e kushteve, duke përfshi edhe stabilitetin makro-financiar.

 Kjo kontratë transformon në dy mënyra rrënjësore qasjen se si BE financon dhe prioritizon reformat në sektorin e administratës publike.

Zbatimi me sukses i kontratës është shumë i rëndësishëm për  kredibilitetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës karshi BE-së për zotimet që merr për reforma të vështira por të rëndësishme e që sjellin vendin më afër BE-së.

Kjo qasje e re e BE-së për përkrahjen e reformave është e duhur, sepse jo vetëm që ne arrijmë të zgjidhim probleme konkrete në administratën publike dhe jemi më afër parimeve evropiane, por në të njëjtën kohë vendi përfiton një shumë të konsiderueshme financiare nga BE.

Sa i përket Kornizës Ligjore të Reformës së Administratës Publike që është edhe temë aktuale.

Gjatë vitit 2018 si Ministri, kemi përmbyll procesin tejet të rëndësishëm të hartimit të ligjeve qenësore për reformën e administratës publike dhe Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar në lexim të parë: Projektligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, Projektligjin për Zyrtarët Publik si dhe Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Këto tre projektligje vendosin shtyllat për organizim dhe funksionimin demokratik të shtetit përderisa fuqizojnë parimet e profesionalizimit, etikës, transparencës dhe llogaridhënies në administratën shtetërore.

Duke besuar se Kuvendi i Kosovës shumë shpejt do të miratoj tre projektligjet, prioritet për gjatë vitit 2019 do të jetë përgatitja e akteve nënligjore për zbatimin e tyre.

Ne si Ministri se bashku me partneret tanë ndërkombëtar kryesor si Komisioni Evropian dhe SIGMA, një kohe te gjate kemi punuar mbi këto 3 ligje respektive, për te vendosur një sistem unik bazuar ne merita dhe perfomancë, për adresuar kaosin aktual ne sistemin e pagave, për te përmirësuar shërbimet administrative ndaj qytetaret, për te rritur besimin të publikut tek shteti dhe për te mbrojtur administratën publike nga politizimi.

Më lejoni të shkëpus katër sfidat kryesore të procesit të reformave të Administratës Publike

  1. Koordinim nder-institucional me efikas
  2. Rritja e llogaridhënies ne administrate Publike
  3. Rishikim funksional të të gjitha organeve qendrore dhe të pavarura me opsione të qarta për racionalizimin e tyre
  4. Sistem efektiv të raportimit në kohe reale bazuar ne dhëna reale

 

Se fundi të nderuar student me lejoni të përfundoj fjalën time me këto fjale:

Modernizimi i administratës publike në Kosovë, transformimi dhe avancimi i sajë, është një investim në demokraci dhe ekonomi, në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë dhe në afrimin e shtetit tonë më pranë Bashkimit Evropian, që është interesi më i lartë shtetëror i yni.

Administrata publike është boshti kurrizor i shtetit. Pa një administratë publike modern profesionale, efektive dhe llogaridhënëse, nuk do të arrijmë të ofrojmë shërbime të mira publike.

 

Faleminderit për vëmendjen

 

Copyright © 2020.