Fjalimet e Ministrit


Fjalimi i Ministrit Yagcilar për Konferencën e Open Data Kosovo 29 nëntor 2018


Prishtinë 29/11/2018


Më lejoni të filloj duke falënderuar Open Data Kosovo për ftesën që të flas në këtë diskutim me rastin e publikimit të raportit “Qeverisja e Hapur e Pushtetit Ekzekutiv në Kosovë dhe rajon.”

E nderuari përfaqësues nga Komisioni Evropian,

E nderuara znj. Thaçi

Të nderuar pjesëmarrës

Zonja dhe Zotërinj

 

Më lejoni të filloj duke falënderuar Open Data Kosovo për ftesën që të flas në këtë diskutim me rastin e publikimit të raportit “Qeverisja e Hapur e Pushtetit Ekzekutiv në Kosovë dhe rajon.”

Përgëzoj ODK-në për punën e tyre dhe kontributin e rëndësishëm që po e japin, si pjesë e shoqërisë civile, në promovimin e qeverisjes së hapur. Së fundi kemi pas një bashkëpunim të mirë me ODK-në në procesin e hartimit të Raportit të Vlerësimit të Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave në Kosovë – ODRA i cili është publikuar në fillim të këtij muaji.

Raporti ODRA vlerëson se  Republika e Kosovës ka një bazë solide për zhvillimin e një iniciative efektive për hapje të të dhënave dhe se klima e tanishme politike është e favorshme për zhvillimin e një iniciative të tillë.

Iniciativa për hapjen e të dhënave drejtohet nga Ministria e Administratës Publike dhe është një prioritet i angazhimit tim si Ministër. 

Sektori publik prodhon dhe mbledh një gamë të gjerë të dhënash dhe ne synojmë që këto të dhëna ti bëjmë publike dhe lehtë të qasshme për qytetarin, në format që mundëson përpunimin e tyre kompjuterik, dhe mund të përdoren, ripërdoren, shpërndahen, pa kufizime që rrjedhin nga të drejtat e autorit, patentat apo mekanizma të tjerë të kontrollit.

Hapja e të dhënave përveç që forcon transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë, sjell shumë përfitime pozitive për qytetarët, bizneset dhe sektorin publik

Administrata publike duhet të ofrojë mundësi për qytetarët, shoqërinë civile, komunitetin e biznesit që të kontribuojnë në mënyrë të informuar në procesin e bërjes së politikave dhe të vendimmarrjes. Nëse ne duam që qytetari të marrë pjesë në mënyrë kuptimplotë në procesin vendimmarrës, ata duhet të informohen dhe të kenë qasje në të dhëna të sakta për fusha të ndryshme, si arsimi, shëndetësia, infrastruktura, mjedisi, etj.

Përkundër sfidave serioze që kemi me hapjen e të dhënave, ne tanimë kemi ndërmarr disa hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Tashmë kemi një Raport serioz dhe profesional që po ashtu ofron një Plan konkret veprimi për iniciativën për hapjen e të dhënave. Krahas kësaj në fillim të këtij muajit kemi lansuar portalin e ri dizajnuar për të dhëna të hapur. 

Aktualisht kemi 106 data-sete të publikuar në portalin kombëtar për të dhëna të hapura, në mesin e tyre kemi publikuar për herë të parë grupin e të dhënave për gjendjen e shërbimit civil si dhe masat disiplinore që kemi ndërmarr ndaj shërbyesve civil që kanë shkelur kornizën ligjore anti-korrupsion. Si Ministri po ashtu kemi filluar publikimin e të dhënave financiare, përkatësisht të shpenzimeve të rregullta mujore. Po ashtu kemi filluar procesin e inventarizimit të të dhënave nëpër Ministritë e Qeverisë së Kosovës. 

Së shpejti do të ndërmarrim hapat e parë në zbatimin e Planit të Veprimit të kuadër të Raportit ODRA.

Aktualisht jemi duke punuar në një draft vendimin që do të dërgohet për aprovim në Qeveri për vendosjen e një politikë të qartë he pa ekuivokë për hapjen e të dhënave të ekzekutivit që do të përcillet me sqarimin e përgjegjësisë dhe krijimin e strukturës së nevojshme institucionale për të siguruar se hapja e të dhënave do të bëhet në mënyrë të rregullt dhe në bazë të interesit publik.

Ne do të krijojmë një njësi të veçantë në kuadër të ASHI-së për menaxhimin e portalit për të dhëna të hapura si dhe koordinimin e punës teknike me institucionet e tjera për publikimin e të dhënave. Po ashtu do të krijojmë një Komision Drejtues për të siguruar llogaridhënie dhe efektivitet të iniciativës për hapjen e të dhënave. Unë mirëpres kontributin e vazhdueshëm dhe pjesëmarrjen e ODK-së dhe OJQ-ve të tjera të interesuara në kuadër të kësaj strukture. Ne presim që deri në Shkurt të vitit të ardhshëm të kemi plotësisht operacionale pjesën e strukturës e cila do ta shndërroj hapjen e të dhënave ndër obligimet qenësore në kuadër të detyrave të përditshme të administratës publike.

Mirëpo, jam i vetëdijshëm se do të kemi sfida të tjera që kanë të bëjnë me kulturën e punës mirëpo më lejoni të veçoj dy më kryesoret: fillimisht, sfidë serioze do të jetë niveli i ulët i vetëdijes për rëndësinë e hapjes së të dhënave dhe faktit që të dhënat që prodhojnë institucionet nuk të mira publike dhe duhet të vihen në dispozicion të publikut për të ndihmuar inovacionin, hulumtimin, politikë-bërjen dhe transparencën. Së dyti, sfidë do të jetë mungesa e kapaciteteve e zyrtarëve për të inventarizuar dhe përgatitur sipas standardeve adekuate publikimin e të dhënave. Në këtë drejtim ne si Ministri po planifikojmë një cikël trajnimesh për vitin e ardhshëm për zyrtarët që pritet të emërohet si pika kontakti për të dhëna të hapura. 

Po ashtu duhet të adresojmë sfidat që kemi si nga ana e kërkesës për të dhëna po ashtu edhe nga ana e furnizimit. Ne planifikojmë që të kemi dialog më të strukturuar me shoqërinë civile, sektorin e IT-së si dhe biznesin për të prioritizuar publikimin e të dhënave që janë në dispozicion të qeverisë. Deri sa të vijnë në pikën kurë të dhënat do të publikohen në mënyrë pro-aktive apo by deafult, që është synimi ynë, duhet të sigurohemi që kemi një mekanizëm efektiv përmes së cilit publikimi i të dhënave nga ana e qeverisë i përgjigjet interesit publik .  

Po ashtu, planifikojmë që të zbatojmë një fushatë të promovimit të portalit kombëtar për të dhëna të hapura dhe në muajt e ardhshëm po punojmë që të organizojmë Data -Thonin e parë në bashkëpunim me shoqërinë civile. Në fakt koncept tashmë është zhvilluar nga ODK për data-thon dhe besoj që në pjesën e parë të vitit të ardhshëm duhet ta zbatojmë.

Nuk do të jetë e lehtë, do të duhet kohë, përpjekje, konsultime, debat dhe durim, por Ministria e Administratës Publike dhe Qeveria e Kosovës janë të zotuar që të punojnë me shoqërinë civile, biznesin, dhe palët e interesuara për të avancuar hapjen e të dhënave në Kosovë.

Më lejoni të përfundoj duke ri-konfirmuar vullnetin politik për zbatimin e iniciativës për hapjen e të dhënave dhe duke ftuar shoqërinë civile, komunitetin e  TIK-ut dhe biznesit për bashkëpunim në këtë drejtim.

Më lejoni që në fund të përgëzoj ODK-në për Analizën që po publikohet sot, të cilën ne në MAP do ta trajtojmë me kujdesë.

Faleminderit për vëmendjen e juaj

Copyright © 2020.