Fjalimet e Ministrit


Fjalimi i Ministrit Yagcilar për prezantimin e vendimit për strukturat për iniciativën për të dhëna të hapura


Prishtinë 15/01/2018


Kam kënaqësinë të prezantoj sot para jush vendimin për organizimin dhe funksionimin e strukturave institucionale për menaxhimin dhe udhëheqjen e iniciativës së të dhënave të hapura nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Vendimi bazohet në obligimet që Qeveria e Republikës së Kosovës mori përsipër me aprovimin e Kartës së të Dhënave të Hapura në vitin 2016 (vendimi i qeverisë 07/87).

Gjithashtu vendimi i propozuar bazohet në rekomandimet e Raportit të Vlerësimit të Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave (ODRA), i cili u publikua në nëntor të vitit të kaluar dhe është realizuar në bazë të metodologjisë së Bankës Botërore nga një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë.

Qëllimi i këtij vendimi është: Rritja e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike si dhe përmes hapjes së të dhënave të fuqizohet qeverisja e mirë dhe të ofrohet një bazë transparente dhe e përgjegjshme e të dhënave që përmirëson politikë-bërjen, dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje, nxit inovacionin, zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Ky vendim është në përputhje të plotë me programin dhe zotimin e qeverisë për qeverisje transparente si dhe vendos Kosovën në hartë të shteteve me një politikë të qartë për të dhëna të hapura.

Vendimi zyrtarizon dhe forcon Iniciativën për Hapjen e të Dhënave të Qeverisë së Kosovës.

Më lejoni të ju përmblidhi pikat kryesore të vendimit:

Detyrimin për të gjitha ministritë e qeverisë dhe agjencitë ekzekutive në varësi të ministrive për të obliguar publikimin e  të dhënave të tyre në portalin kombëtar për të dhëna të hapura (opendata.rks-gov.net) dhe për të bashkëpunuar me Ministrinë e Administratës Publike dhe Agjencinë për Shoqërinë e Informacionit në hapjen e të dhënave.

Vendimi e parasheh, se të gjitha të dhënat e qeverisë që do të publikohen në portalin kombëtar të të dhënave të hapura që do të bazohen në një licencë që lejon përdoruesit të përdorin, ri-përdorin dhe përpunojnë lirisht të dhëna, mirëpo duke njohur autorësinë e të dhënave.

Vendimi krijon strukturat e domosdoshme për menaxhimin dhe udhëheqjen e Iniciativës për  të Dhëna të Hapura, që përfshin një Grup Drejtues, një grup punues qeveritar në nivel teknik dhe krijimin e një Njësie të të Dhënave të Hapura në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit.

Grupi Drejtues do të jetë organi kryesor për të udhëhequr Iniciativën për Hapjen e të Dhënave të Qeverisë së Kosovës. Grupi Drejtues do të kryesohet nga Ministri i Administratës Publike, do të përfshijë përfaqësimin nga ministritë kyçe të qeverisë dhe shoqërinë civile po ashtu.

Vendimi nuk krijon kosto shtesë dhe është në përputhje me Planin e Veprimit 2018-2020 për zbatimin e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020.

Më lejoni të përfundoj dhe t`ju ftoj që ta përkrahni këtë vendim i cili do të forcon zbatimin e politikave të qeverisë në fushën e dhënave të hapura.

Ju Faleminderit për vëmendje!

Copyright © 2020.