Fjalimet e Ministrit


Opinion i Ministrit Yagcilar për Gazetën Koha Ditore Viti 2018, Viti i Rëndësishëm për Reformën e Administratës Publike Mahir Yağcılar


Prishtinë 18/12/2018


Një administratë publike profesionale, llogaridhënëse, efektive dhe transparente është qenësore për aftësinë e Republikës së Kosovës që të zbatoj reformat e procesit të integrimit Evropian si dhe të përgjigjet në kërkesat e drejta të qytetarëve për shërbime më të mira publike nga administrata shtetërore. Përkundër sfidave serioze që kemi, vitin 2018 po e përmbyllin me disa arritje shumë të rëndësishme për procesin e reformës së administratës publike.

Për herë të parë për Kosovën në vitin 2018, Komisioni Evropian vendosi të ofroj mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore për sektorin e administratës, që përfaqëson një njohje nga BE të kapacitetit dhe përparimit në sektorin tonë. Zbatimi i Kontratës së Reformës Sektoriale prej 25 milionë eurosh, jo vetëm që do mbështes përpjekjet për ta bërë administratën publike më efektive dhe për te ofruar shërbime me te mira publike për qytetarët, por tani këto reforma do te sjellin një kontribut të drejtpërdrejtë financiar edhe për buxhetin kombëtar. Në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian tashmë kemi deponuar në Komision Evropian kërkesën për zbatimin e këstit të parë prej 5.5 milion euro që do të disbursohet drejtpërdrejt në buxhetin e Kosovës.

Në prill të këtij viti kemi pas edhe takimin e Grupit të Veçantë për Administratën Publike me Komisionin Evropian. Jemi pajtuar me Komisionin Evropian se Kosova ka bërë progres në zbatimin e reformës së administratës publike. Konkluzion tjetër i rëndësishëm nga ky takimi është pajtimi për të rritur më tej burimet njerëzore dhe financiare të parapara për t’i drejtuar, menaxhuar dhe monitoruar reformat në të gjitha ministritë përkatëse me qëllim që të sigurohet përparim i duhur. Mirëpo po ashtu Komisioni Evropian ka ngritur disa shqetësime, duke përfshi edhe emërimin e numrit të madh të zëvendësministrave si dhe me cenimin e stabilitetit makro-financiar përmes disa nismave legjislative, që rrezikon edhe Kontratën për Reformë Sektoriale për Reformën e Administratës Publike si dhe Kontratën e ngjashme për Menaxhimin e Financave Publike, që së bashku kapin shumën prej 50 milion Euro.  

Gjatë vitit 2018 kemi përmbyll procesin tejet të rëndësishëm të hartimit të ligjeve qenësore për reformën e administratës publike dhe Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar në lexim të parë: Projektligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, Projektligjin për Zyrtarët Publik si dhe Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik. Këto tre projektligje vendosin shtyllat për funksionimin demokratik të administratës përderisa fuqizojnë parimet e profesionalizimit, etikës, transparencës dhe llogaridhënies në administratën shtetërore. Tutje, këto tre ligje do të transformojnë administratën publike, duke vendosur rregulla dhe norma të qarta për sistemin e pagave, duke instaluar rekrutimin e centralizuar në mënyrë që të frenohet ndikimi politik në shërbimin civil si dhe do të krijohen linja te qarta te llogaridhënies për agjencitë e pavarura. Me këto tre ligje do të kemi administratë publike më profesionale, më efektive dhe më të përgjegjshme, duke mbrojtur gjithashtu buxhetin e shtetit.

Copyright © 2020.