Reformat në administratën publike

Reforma e Administratës Publike përbën një platformë nga suksesi dhe rezultatet e së cilës varet zhvillimi dhe zbatimi i politikave qeveritare në kontekstë më të gjërë, sidomos ato për zhvillimin ekonomik dhe ofrimin e shërbimeve publike administrative ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Zhvillimi i administratës publike dhe kapaciteti administrativ i saj janë mjetet kryesore nga të cilat varet aftësia e shtetit për tu marrë me reformat dhe kriteret e kërkuara nga procesi i integrimit evropian të vendit.

Reforma e Administratës Publike mbetet ndër prioritetet kryesore të Qeverisë sonë. Në këtë kontekst Korniza Strategjike për Reformën e Administratës Publike 2015–2020 është një qasje e re e cila shënon vizionin dhe politikat strategjike, që Qeveria e Republikës së Kosovës synon t’i arrij brenda periudhës afatmesme, për të përmirësuar funksionimin e administratës publike dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët. 

Korniza Strategjike për RAP është fokusuar në tri fusha, si:

  • Zhvillimi dhe koordinimi i politikave dhe legjislacionit – përgjegjëse Zyra e Kryeministrit;
  • Shërbimi publik, menaxhimi i burimeve njerëzore, llogaridhënia, dhe ofrimi i shërbimeve – përgjegjëse Ministria e Administratës Publike; dhe
  • Menaxhimi i financave publike – përgjegjëse Ministria e Financave.

Në kuadër të kësaj kornize, Ministria e Administratës Publike ka hartuar Strategjinë për Modernizimin e Administratës Publike 2015–2020, zbatimi i së cilës ka për qëllim të krijojë kushte që administrata të jetë e orientuar kah plotësimi i kërkesave dhe nevojave specifike të qytetarëve dhe bizneseve që të punojë në interes të tyre. Përmes zbatimit të kësaj strategjie synohet reduktimi i barrierave procedurale dhe administrative përmes zbatimit të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, uljen e kostos dhe reduktimin e kohës së shpenzuar gjatë marrjes së shërbimeve publike-administrative. Qytetarët do të kenë mundësi që gjatë marrjes së shërbimeve publike administrative të shfrytëzojnë mundësitë e teknologjisë informative të përshtatshme edhe për personat me aftësi të kufizuara.

Përveç kësaj, synohet edhe krijimi i një administrate sa më të avancuar përmes digjitalizimit të proceseve administrative në masë sa më të gjerë që përfshinë nivelin qendror dhe lokal, përmes sistemeve të ndryshme elektronike siç është Sistemi për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ).

 

Copyright © 2019. Ministria e Administratës Publike